Robert Elsie | AL Art | AL History | AL Language | AL Literature | AL Photography | Contact |

 

 

Robert Elsie

Tekste dhe dokumenta të historisë shqiptare

 

1000 — 1799

1800 — 1899

1900 — 1919

1920 — 1944

1945 —


Datenschutz

English   deutsch   shqip

Si njësi gjeografike dhe kulturore dhe si shtet, Shqipëria u shfaqet historianëve si enigmë dhe shpeshherë injorohet. Në shekullin tetëmbëdhjetë historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon, 1737-1794) e përshkroi si një vend "në fushëpamje të Italisë, por më pak të njohur se brendësitë e Amerikës."

Robert Elsie

Ky koleksion tekstesh synon të hedhë më shumë dritë mbi këtë kënd të Evropës Juglindore i cili shpeshherë keqkuptohet nga historianët dhe shkencëtarët. Kjo faqe interneti nuk është një histori e Shqipërisë dhe as një histori e shqiptarëve, por thjesht një përmbledhje tekstesh historike - disa me shumë rëndësi dhe disa me më pak rëndësi - nga shekulli i njëmbëdhjetë deri në shekullin e njëzetenjë, të cilat do të shërbejnë për të kuptuar më mirë historinë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të popullit të saj. Shumë prej këtyre teksteve paraqiten këtu në përkthim, kryesisht në anglisht, për herë të parë.

Populli shqiptar ishte në fillim një komunitet i vogël baritor në malet e thyera të Ballkanit jugor. Ishin fise nomade në brendësitë e rajonit, të cilat, në dukje, rrallë kanë zbritur në fushë dhe në bregdetin kënetor me mushkonja të Adriatikut. Kështu, kanë qëndruar për një kohë të gjatë pa u vërejtur nga jashtë, dhe historia e hershme e tyre ka mbetur në mjegull. Është shkruar dhe hamendësuar shumë për prejardhjen e shqiptarëve, në mënyrë të veçantë nga shqiptarët vetë, të cilët janë tepër të interesuar për rrënjët e tyre dhe për konfirmimin e autoktonisë së tyre në rajon. Për fat të keq, nuk disponojmë dokumente thelbësore nga mijëvjeçari i parë pas Krishtit të cilat mund të na ndihmonin në gjurmimin e shqiptarëve deri në antikitet. Megjithëse gjëndja përmirësohet dukshëm në mijëvjeçarin e dytë, prapë mund të pohohet se mungojnë informacione të detajuara për shqiptarët deri në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Dokumentet e ofruara në këtë faqe interneti përfshijnë tekste jo vetëm mbi daljen e parë në dritë të shqiptarëve, pra mbi përmendjet e para të tyre, por edhe tekste të mëvonshme të cilat e japin një pamje më të gjerë të historisë dhe të gjeografisë së Shqipërisë, dhe në veçanti të jetës së shqiptarëve gjatë shekujve. Ndër to janë edhe raporte udhëtarësh dhe kronistësh të cilët tregojnë haptaz atë që e kanë parë dhe përjetuar gjatë udhëtimeve të tyre.

Mbetet për t'u shpresuar që ky koleksion tekstesh historike do të nxisë një interes të shtuar botëror për hulumtime shkencore në fushën e historisë së Shqipërisë dhe të Ballkanit jugor.

Është thënë shpeshherë që "të kuptosh të tashmen, duhet të kuptosh të kaluarën." Ky pohim, duket se vlen në mënyrë të theksuar për Ballkanin.

Robert Elsie

Përkthimet e shfaqura në këtë faqe interneti mund të kopjohen dhe të përdoren lirisht për qëllime private jotregtare, nëse burimi shënohet në mënyrën e duhur. | Robert Elsie

TOP